Shpërndaje me Postë Elektronike Shtyp PDF

31 Tetori: Dita e Reformacionit

ZHVILLIMI I LIRISË NJERËZORE!

 

Hyrje

Europa e cila mbështetet mbi tri shtylla civilizimi (kultura pagane, filozofia greko-romake, religjioni i krishterë) për së paku qe dy mijë vjet ndryshimin më të madh e ka pasur pikërisht në fillim të shekullit të XVI me shfaqjen e reformacionit, përkatësisht me shfaqjen e kishës protestante me Martin Luterin, dhe kjo datë është 31 tetori, andaj ky vit shënon vitin e 489-të të Reformacionit Protestant, kurse në Amerikë kanë filluar përgatitjet për shënimin e 500 vjetorit të Reformacionit.

Premisat për një reformacion europian

Qysh se krishterimi ra në dorën e perandorit romak me prejardhje ilire Konstantini i Madh, në çerekun e parë të shekullit të katërt pas Krishtit, dhe deri në çerekun e parë të shekullit XVI, pra plot 1200 vjet, është ajo periudha e gjatë historike që quhet mesjetë, ose periudha e krishterimit bizantin. Gjithë jetën dhe kulturën europiane e kontrollonte kisha e Romës dhe ajo e Kostandinopojës të cilat kishin rrëshqitur skajshëm në shumë çështje të mësimi të Krishtit dhe nga parimet tjera ungjillore dhe biblike. Gjatë mesjetës njerëzit nuk mund ta lexonin Biblën fare, dhe konsiderohej se njeriu është aq mëkatar sa nuk ishte i denjë ta ketë në duart e tij Fjalën e Zotit. Kisha gjatë asaj kohe, e që në Europën Perëndimore ishte vetëm katolike, u thoshte popujve se Bibla i takonte vetëm kishës dhe udhëheqësve të saj, kështu që liderët mund t’ua lexonin, por ishte e rrezikshme që populli ta lexonte vetë, për shkak të ‘paditurisë’ së tyre. Përveç kësaj, të krishterët duhej të bënin shumë punë të tjera për ta siguruar shpëtimin e tyre, dhe për shumicën e këtyre punëve përfitonte kisha e që ishte në kundërshtim me Biblën.

Në vitin 1382, anglezi John Wycliffe e përktheu Biblën nga latinishtja në anglisht, dhe tash mund të lexohej nga populli. Më vonë, një prift çek bëri protestë se çdo njeri duhej të kishte të drejtë ta lexonte Biblën në gjuhën e tyre, dhe jo vetëm ta dëgjonin nga priftërinjtë në gjuhën latine. Në fillim të shek. XVI, shumë europianë thoshin se Erazmo Roterdami qëndroi si klloçka mbi vezët, ndërsa çeli Martin Luterin. Në fakt gjithmonë kisha e vërtetë krishtere (ungjillore) kishte mbetur në opozitë prej përmbytjes së saj nga krishterimi i shtetërorizuar në shek. IV pas Krishtit.

Kush ishte Martin Luteri?

Martin Luteri u lind më 10 nëntor 1483 në Eisleben të Saksonisë, Gjermani. Qysh prej fëmijërisë shkoi nëpër shkolla të ndryshme pasi ky ishte pasioni i babait të tij Gjonit që i biri ta njihte të vërtetën. Gjoni ishte dashamir i librit, dhe nën këtë frymëzim rritet edhe i biri. Në vitin 1505 Luteri diplomoi në Universitetin e Erfurtit në filozofi dhe në arte. Nga studimet e tepërta u sëmurë disa herë si i ri. Ai thoshte se “të dish të lutesh, është gjysma më e mirë e studimit”. Më 1507 u shugurua prift katolik. Në vitin 1508 u bë profesor në Universitetin e Vitenbergut. Studioi greqishten dhe hebraishten dhe kështu ai jepte mësim edhe për Shkrimin e Shenjtë – Biblën. Zbulesë e Zotit për Luterin ishte një varg biblik i cili thoshte: “i drejti duhet të jetojë me besim” (Rom. 1:17), dhe prej këtij momenti fillon reformimi i mendjes dhe i zemrës së tij. Vizita që i bëri Romës papnore më 1510 po ashtu pati një rol tejet domethënës për bindjet e Luterit pasi atje pa vetëm hipokrizi dhe doktrina të shumta jokrishtere. Papa Leo X kishte urdhëruar shpalljen e indulgjencave dhe ata që i pranuan paguanin para, kurse papa i asaj kohe me këto para filloi ta ndërtojë kishën e Shën Pjetrit në Vatikan. Indulgjencat me kërkesat e tyre kishin shkuar aq larg sa njerëzve u jepnin letra duke u premtuar se çdo mëkat do t’u falej madje edhe ato mëkate që do t’i bënin njerëzit në të ardhmen – çështja ishte vetëm paguani! Prandaj skandali i kësaj çështje pati rezistencë sidomos në Gjermani në krye me reformatorin e shquar. Luteri ishte prifti i parë që u martua pasi ai gjeti mbështetje jo te kisha katolike por tek Bibla. Ai u martua me Katarina Borën dhe i pati me të gjashtë fëmijë. Më 31.X.1517 (që është edhe Dita e Reformacionit), në Vitenberg, në derën e kishës së qytetit, i vë 95 tezat e tij, me paralajmërimin se do t’i mbronte publikisht pas tri ditësh. Tri ditët ishin ditët simbolike të ringjalljes së Krishtit, andaj me këtë kuptohej se do të ringjallej sërish kisha e vërtetë e Krishtit në Europë. Kërkesa e këtyre tezave ishte reformimi i kishës katolike, por papa e kundërshtonte këtë gjë. Pas mbrojtjes publike, fillojnë sulmet papnore. Në Kuvendin e vitit 1524, përfundimisht, shpallet kisha protestante. Më 1529, në Kuvendin e Shpajerit, një numër i vogël princash, nxjerrin një protestë për shkak të qëndrimit të mbretit gjerman, dhe të shumicës së princave, që kishin përkrahur reformacionin e Luterit. Më 1531, princat protestantë, formojnë Ligën Protestante. Martin Luteri vdiq më 18 shkurt 1546. Luteri nuk është një profet i protestantëve, por vetëm një shërbyes i Zotit. Përveç Luterit ishin edhe këto figura kyçe të reformacionit: Gj. Kalvini, U. Cvingli, K. Grebel, M. V. Iliriku, F. Melanhton, Xh. Hus, J. A. Komenski, H. Bullinger etj.

Reformacioni ose tezat e Luterit

Më 31 tetor 1517 Martin Luteri i revoltuar me kishën katolike që ishte shtetërorizuar,  paganizuar, kulturalizuar, e që ishte çiftëzuar me fisnikët, dhe që i shtypte fshatarët dhe të varfrit; i revoltuar se njeriu i asaj kohe nuk kishte as liri e as mendim; i revoltuar se nuk predikohej ungjilli i Krishtit - ai i shpalli 95 tezat e tij të njohura në derën e kishës së Vitenbergut. Tezat ishin mënyra, programi dhe platforma e reformacionit. Pesë tezat kryesore që nxitën edhe interesimin më të madh tek njerëzit nga shtresa të ndryshme në Gjermani, Zvicër, Angli, Francë etj. ishin këto:

-          Sola Fide (Vetëm besimi)
Shpëtimi vjen vetëm nga besimi në Zotin, dhe njeriu nuk është i detyruar të bëjë vepra të mira për t’u shpëtuar. Në Bibël (tek Letra e Palit drejtuar Romakëve 4:5 thuhet: “Kush pranon se nuk ka asnjë punë (merituese) për të treguar, por i beson Atij që i fal plotësisht fajtorët, del i pafajshëm me anë të pranimit të faljes” 

-          Sola Gratia (Vetëm Hiri)
Shpëtimi, dhe jeta si besimtarë, vjen vetëm nga hiri i Perëndisë, dhe njeriu nuk mund ta fitojë as ta meritojë. Tek Letra e Palit drejtuar Efesianëve 2:8 thuhet: “Jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë....”.  

-          Sola Christus (Vetëm Krishti)
Shpëtimi vjen vetëm nga Jezus Krishti, dhe nuk nevojitet asnjë ndërmjetës tjetër. Në Bibël tek libri Veprat e Apostujve 4:12 thuhet: “Vetëm Jezus Krishti mund t’ju sjellë shpëtim....”. 

-          Sola Scriptura (Vetëm Shkrimi i Shenjtë)
Fjala e Zotit është fjala e fundit në jetën tonë si besimtarë. Po të mos i përputhesh Fjalës së Shenjtë asnjë këshillë tjetër nuk është e drejtë. Tek Veprat e Apostujve 17:11 thuhet: “Ata ishin... duke shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu”. 

-          Soli Deo Gloria (Lavdia vetëm Zotit)
Lavdia nuk na takon neve. Synimi i jetës sonë nuk është ai që duhet të jemi të suksesshëm, të pasur, të zotët, ose që do t’i plotësojmë nevojat tona. Zoti na ka krijuar dhe na ka shpëtuar me anë të forcës dhe dashurisë së Tij. Ai ka kryer gjithçka në jetët tona, dhe gjithashtu meriton lavdi nga tërë popujt e botës. Tek Efesianëve 1:11-12 thuhet: “Në të (Zotin) edhe kemi qenë zgjedhur... që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së Tij....”

 

Reformacioni i Luterit u bë një lëvizje e madhe dhe e fuqishme gjithëpopullore, dhe synimi kryesor ishte liria individuale, zbatimi mësimit të Krishtit, deshtetërorizimi i kishës, decentralizimi kishtar, shembja e kultit të papës dhe rolit të tij në jetën e të krishterëve, përkthimi i Biblës në gjuhët kombëtare, adhurimi dhe lavdërimi të bëhej në gjuhët e amtare, heqja e ikonave dhe e statujave nga kisha e Zotit, mohimi i sakramenteve katolike, heqja e ligjit të beatifikimit, ndalimi i shitjes së indulgjencave, mohimi i doktrinës së purgatorit,  riinterpretimi i transsubancializimit, heqja e ndikimit të traditës mbi Biblën, shpallja legale e martesës së klerit etj.

Përhapja e reformacionit dhe kundërshtimet

Reformacioni u përhap shumë shpejt sidomos në Zvicër, Francë, Angli, Holandë, Çeki, Suedi, Norvegji, Finlandë, Danimarkë etj. dhe në këto vende pothuajse plotësisht njerëzit kaluan nga kisha katolike në kishën protestante. Papa i asaj kohe ishte francez, dhe në marrëveshje me mbretin e Francës dhe me princat e tjerë spanjoll bëjnë kundërshtimet më të rrepta që njihen në historinë evropiane për sa i takon çështjes së bindjes fetare. Nga frika se mos gjithë kontinenti po reformohej (protestanizohej) atëherë filloi ajo çfarë quhet “Nata e Shën Bartolomeut”, që i ngjasonte aksionit famëkeq “ndekja e shtrigave” kur vetëm gjatë një nate, më 23 gusht 1572, në Francë vriten mbi 6000 fisnikë francezë protestantë, dhe po kështu aksione të dhunshme dhe vrasje kundër të krishterëve protestantë pati edhe në vende të tjera kurse në ballë ishte vënë Ignatius nga Lojolla (Spanjisht: Ignatius de Loyola), i cili ishte udhëheqësi i kundër-reformacionit. Reformacioni u zgjerua shpejt në gjithë kufijtë e Europës, pra deri aty ku shtrihej Perandoria Osmane, prandaj pjesa e Ballkanit mbeti pa reformacion pasi turqit ishin sundues aty. Pasi shumë të krishterë protestantë u përndoqën nga Europa atëherë ata filluan që të kërkojnë tokë të re, dhe kështu ata migruan në Amerikë në numër shumë të madh, dhe pikërisht këta njerëz bëhen baza garantuese e lirisë njerëzore që u ndërtua më vonë në Amerikë.

Reformacioni dhe shqiptarët

Kisha katolike në fillim të shfaqjes së reformacionit e imitoi doktrinën dhe reformën e protestantizmit duke lejuar që të përkthehej Bibla në gjuhë të tjera, pasi deri në shekullin XVI Bibla në Evropë ishte kryesisht në gjuhën greke dhe latine, mirëpo më vonë kisha katolike ndërron mendjen dhe fillon me kundër-reformacionin. Pra ato botime që ishin lejuar dhe financuar nga papa tani shpalleshin heretike dhe njerëzit ndjekëshin nëse i posedonin ato. Deri tani Gjon Buzuku mbahet autori i parë që ka shkruar një libër në gjuhën shqipe, dhe ai është Meshari, një vepër që është përkthim i shumë pjesëve të Biblës nga latinishtja. Kjo vepër u botua në vitin 1555 pra në kohën e kundër-reformacionit, dhe deri tani dihet vetëm për një kopje të këtij libri pasi kopjet tjera u dogjën e ky libër u shpall i ndaluar, prandaj edhe sot shumë pak dihet për autorin dhe vendin e botimit. Të gjitha këto flasin se Buzuku ka pasur gjasa më të mëdha që të ketë qenë i lidhur me reformacionin e Luterit sesa me kishën katolike pasi botimi i librit të tij është bërë gjatë kohës së kundër-reformacionit papnor. Sidoqoftë rrënjët e fillimit të shkrimit shqip janë pikërisht për shkak të reformacionit.

Tek shqiptarët vetëm në vitin 1887, në Manastir, hapet kisha protestante, kurse në Korçë në vitin 1892, po ashtu hapet kishë protestante nën udhëheqjen e Gjerasim Qiriazit, dhe prej këtij viti e këtej gjithmonë kishte kisha protestante tek shqiptarët. Tani janë zbuluar dokumente që dëshmojnë se kishë protestante (ungjillore) kishte në Prishtinë në vitin 1882. Mbi 100 dokumente gjenden sot në Britani të Madhe, Amerikë, Austri, Turqi, Shqipëri që i tregojnë këto fakte lidhur me përhapjen e kishës protestante tek shqiptarët. Qiriazi në vitin 1884 e vizitoi kishën protestante në Prishtinë. Këto figura kontribuuan për konsolidimin e protestantizmit tek shqiptarët: Vangjel Meksi, Grigor Gjirokastri, Panajot Kapitari, Naum Veqilharxhi, Koto Hoxhi, Nikollë Naço, Gj. Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Petro Nini Laurasi, K. Kristoforidhi, Thanas Sina, Kristo Shuli, Sevasti Qiriazi etj, kurse e admiruan po ashtu edhe këto figura: Elena Gjika, Asdreni, Konica, Noli, Naim Frashëri dhe shumë e shumë të tjerë.

Hegeli dhe Fromi për protestantizmin

Kisha protestante i dha njeriut pavarësinë ndaj dogmës krishtere 12 shekullore. Kisha shkarkohet nga autoriteti i saj, duke kaluar tek individi, si koncept për besimin dhe shpëtimin. Kjo e bëri individin e përgjegjshëm dhe të vlefshëm duke krijuar raportin e drejtpërdrejtë: Perëndi-njeri. Këta përbërës të reformacionit, ndikuan në zhvillimin e lirisë shpirtërore, politike, kulturore, artistike dhe ekonomike, për t’iu vënë bazat e shoqërisë moderne evropiane. Erih Fromi, ka hetuar se me protestantizmin janë arritur zhvillimet më të rëndësishme psikologjike që kanë ndodhur ndonjëherë. Ky psikolog bashkëkohor, thotë: “protestantizmi është përgjigje për nevojat njerëzore të individit të frikësuar dhe të izoluar, të shkëputur nga rrënja, i cili në botën e re duhej të gjendej dhe të lidhje me të”. Pra, sipas Fromit, kisha protestante e përgatiti njeriun psikologjikisht, edhe për fillet e punës, si dhe për rolin e njeriut që do të luajë në sistemin industrial”. Një filozof tjetër i quajtur Maks Veber në veprën e tij “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” pasqyron thellësisht ndikimin e protestantizmit në zhvillimin ekonomik dhe në diplomaci. Ky rol u jetësua, sepse protestantizmi shemb autoritetet tjera për individin, dhe forcon vetëm me Zotin Perëndi. Përfundimet e këtij psikologu janë se protestantizmi e shpëtoi njeriun shpirtërisht, ndërsa kapitalizmi politikisht. Kisha protestante filloi procesin e atillë që njeriun e detyroi të ballafaqohet personalisht me Zotin, dhe jo përmes hallkave të tjera. Hegeli, për Luterin, tha se më të fillon fryma e lirisë. Luteri u cilësua si luftëtari i arsyes dhe i vetëdijes së lirë.

Protestantët sot në botë

Mbi 10% e popullatës në botë janë të krishterë protestantë, pra më shumë se 600 milion njerëz dëshmojnë se janë të krishterë protestantë, kurse numri më i madh i tyre është në Amerikë, pastaj në vendet europiane shumicë janë në Britani të Madhe, Gjermani, Holandë, Suedi, Norvegji, Danimarkë, Zvicër etj. Reformacioni i Luterit dhe i Kalvinit edhe sot është i gjallë dhe vazhdon të përhapet nëpër shumë vende të botës, si në Kinë (më shumë se 40 milionë, në Brazil më shumë se 25 milionë, në Kore të Jugut më shumë se 80% e popullsisë etj.) Sot, predikuesi dhe teologu më i njohur botëror i kishës protestante është Billy Graham.

 

 

 

Lajme Blic

Të nderuar vizitorë,

Mirë se erdhët në faqen zyrtare të Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK). Ne shpresojmë të kemi siguruar informacion të bollshëm për interesimin tuaj. Për çdo pyetje shtesë, luteni të mos hezitoni në na kontaktoni përmes postës sonë elektronike: kishaprotestante@ipko.net ose në SKYPE kpeckosova.


Darka e Lamës

Me 23 tetor në Prishtinë do të festohet Dita e Falenderimi apo quajtura “Darka e Lamës”.

Samiti Botëror i Udhëheqjes

Më datë 19-20- tetore 2012 në Prishtinë do të mbahet Samiti Botëror i Udhëheqjes.
Për më shumë informacione ju lutem kontaktoni zyren e KPUK-ut në
Email: kpec.office.kosova@gmail.com

Kuvendi i KPUK-ut 2013

Kuvendi i ardhëshëm i KPUK-ut do të mbahet me 8-9 mars 2013,
për më shumë informacione do të njoftoheni me kohë.