Shpërndaje me Postë Elektronike Shtyp PDF

Ditë të shënuara Protestante

Mbahet Akademi Solemne "Shtigjet e Dritës"

 

Protestantët e Kosovës shënuan 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Krahas këtij përvjetori, ata shënuan edhe dy përvjetorë të tjerë të rëndësishëm për Kishën protestante: 491 vjetorin e Reformacionit dhe 150 vjetorin e lindjes së Gjerasim Qiriazit.

Derisa Akademisë së Shkencave dhe Arteve dhe Institutit Albanologjik nuk u bëhet vonë për kremtimin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, Kisha Protestante e Kosovës e bëri këtë, në mbrëmjen e së dielës, në një akademi solemne në Hotelin Grand në Prishtinë. Në akademinë e quajtur “Shtigje drite”, përpos 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, u shënuan edhe dy përvjetorë, që janë të lidhur me kishën protestante: 491 vjetori i Reformacionit dhe 150 vjetori i lindjes së Gjerasim Qiriazit, një prej themeluesve të Kishës Protestante në trojet shqiptare.

Duke folur për këta përvjetorë, Artur Krasniqi, pastor i Kishës protestante Ungjillore, u shpreh se të tria këto ngjarje kanë një emërues të përbashkët dhe ai emërues, sipas tij, është që sjellin dritë, për kombin tonë dhe dritë për kontinentin e Evropës. “Ngjarja e njohur si reformacioni i Luterit në 1517 kishte ndikim edhe në popullin tonë dhe në këtë pjesë të Ballkanit, për të vazhduar më tej me Mesharin e Gjon Buzukut në vitin 1555, me punën e palodhshme të familjes Qiriazi e të rilindësve të tjerë e deri në ditët e sotme”, tha Krasniqi.

Me një kumtesë lidhur me ndikimin e reformacionit në mirëqenien e kontinentit të Evropës u paraqit Rev. Gordon Sh. Rogers, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Ungjillore të Europës. Ai pasi bëri një hyrje rreth çështjeve dhe përkufizimeve të protestantizmit, bëri disa vrojtime për kontributin e protestantizmit ungjillor dhënë kulturës evropiane dhe në fund foli edhe për Kishat protestante ungjillore dhe aleancën protestante ungjillore. “Reformacioni ka qenë një rebelim i madh politik dhe social. Në të ishin të përfshirë disa emra të mëdhenj, të cilët sot e kësaj ditë vazhdojnë të mbesin akoma figura të mirënjohura, njerëz si Zhan Kalvin në Zvicër dhe Martin Luter në Gjermani”, tha Rogers.

Ndërsa folësi tjetër, Dr. John Quonrud, ish-student i Universitetit të Prishtinës, biograf i Gjerasim Qiriazit dhe autor i librit "Besë, shpresë, dashuri - Jeta e Gjerasim Qiriazit”, duke folur për Qiriazin, theksoi se në një kohë kur shumë prej shqiptarëve me arsim të lartë e zhvillonin veprimtarinë e tyre jashtë kufijve të mëmëdheut, Gjerasimi zgjodhi rrugën më të vështirë, duke duruar vuajtjet dhe përndjekjet dhe duke e vënë në rrezik edhe jetën. “Gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër, Gjerasim Qiriazi dha një kontribut të shquar për gjuhën, letërsinë dhe besimin. Ai ishte një njeri me horizont dhe kurajë, që pati ndikimin e vet mbi rilindësit e tjerë”, u shpreh Quonrud.

Në anën tjetër, rreth përvjetorit të Kongresit të Manastirit, konkretisht rreth rolit dhe ndikimit të Lëvizjes Protestante në bërjen e Alfabetit Shqip, foli Pastor Dr. Femi Cakolli. Ai tha se historia shqiptare, me përjashtime shumë të vogla, edhe pas 100 vjetëve ende e symbyll rolin e lëvizjes protestante shqiptare për funksionin kyç në bërjen e alfabetit shqip, për kulturën, letërsinë dhe identitetin e kombit tonë, sidomos në shek. XIX dhe në çerekun e parë të shek. XX. Duke shtruar pyetje të ndryshme si: Pse u mbajt Kongresi i Alfabetit në Manastir, dhe jo në një qytet tjetër? Çfarë meritash kulturore, etnike, historike dhe gjeografike paraqiste Manastiri në krahasim p.sh. me Shkodrën, Elbasanin, Korçën, Janinën, Beratin apo qytete tjera të Shqipërisë?, Cakolli u përgjigj se ‘Manastiri ishte qendra më e organizuar e krishterimit protestant dhe se kjo bërthamë kombëtare ishte foleja ku u lind Kongresi i Shkronjave’. Prandaj, sipas tij, mbajtja e Kongresit të Manastirit i detyrohet shumë komunitetit protestant, i cili në atë kohë udhëhiqej nga Gjergj Qiriazi, vëllai i Gjerasim Qiriazit.

                                                                           (Marre nga e perditshmja kosovare "Express")

SHKARKO Ligjeratën e Dr Gordon Showel-Rogers mbajtur me këtë rast (PDF)


 

Lajme Blic

Të nderuar vizitorë,

Mirë se erdhët në faqen zyrtare të Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK). Ne shpresojmë të kemi siguruar informacion të bollshëm për interesimin tuaj. Për çdo pyetje shtesë, luteni të mos hezitoni në na kontaktoni përmes postës sonë elektronike: kishaprotestante@ipko.net ose në SKYPE kpeckosova.


Darka e Lamës

Me 23 tetor në Prishtinë do të festohet Dita e Falenderimi apo quajtura “Darka e Lamës”.

Samiti Botëror i Udhëheqjes

Më datë 19-20- tetore 2012 në Prishtinë do të mbahet Samiti Botëror i Udhëheqjes.
Për më shumë informacione ju lutem kontaktoni zyren e KPUK-ut në
Email: kpec.office.kosova@gmail.com

Kuvendi i KPUK-ut 2013

Kuvendi i ardhëshëm i KPUK-ut do të mbahet me 8-9 mars 2013,
për më shumë informacione do të njoftoheni me kohë.